Nicolo Zaniolo është shumë pranë transferimit në Angli, në radhët e klubit të Aston Villa. I tranaferuar me mjaft bujë tek Galatasaray në merkaton e Janarit, aventura e italianit në Turqi ka zgjatur vetëm një gjysmë sezoni.
Pas gjurmëve të fantazistit ishte Juventusi, me trajnerin Massimiliano Allegri që donte ta kishte futbollistin në fjalë pjesë të organikës së tij. Mirëpo, mesa duket, Zonja e Vjetër është menduar gjatë për këtë “operacion”, ndërkohë në mes, ka ndërhyrë Aston Villa që e ka mbyllur çështjen shumë shpejt.
Sipas raportimeve që vijnë nga mediat e huaja, në “Villa Park”, Zaniolo do të transferohet për shifrën totale të 27 milionë eurove, përfshirë në brendësi edhe 5 milionë euro që do të shkojnë në formën e bonuseve.
Admirimin për Zaniolon nuk e ka fshehur trajneri i Aston Villa, Unai Emery, i cili është shprehur se lojtari në fjalë, nuk është një sulmues i mirëfilltë, por ka aftësinë të tregohet i zhdërvjellët, duke luajtur si një numër 7, apo edhe numër 10-të. Kështu që sipas Emery, Zaniolo do të jetë mjaft i dobishëm për organikën e tij.
Këtë lëvizje po e ndjek me vëmendje edhe Roma. Nga shitja e futbollistit në Angli, Roma do të përfitojë plot 4 milionë euro, për shkak të së drejtës që klubi italian kishte nga kontrata e nënshkruar me Galatasarayn.
Në 12 ndeshje të luajtura me turqit, Zaniolo arriti të shënonte 5 gola, e po ashtu dhuroi një asist për shokët e skuadrës. Gjithashtu, me gjigantët e Stambollit, italiani arriti të fitonte edhe titullin kampion të sezonit që lamë pas.