E kërkon Liverpool, Diego Carlos pranon se mund ta largohet nga Sevilla

Sport

Edhe pse u bë pjesë e Sevilla vetëm verën e kaluar, qendërmbrojtësi Diego Carlos ka pranuar se mund të largohet nga andaluzianët gjatë merkatos së ardhshme. 27-vjeçari ka zhvilluar një sezon impresionues, duke tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave dhe për këtë arsye, është e kuptueshme se pse braziliani po e mendon një lëvizje të tillë. Në fakt në një intervistë të dhënë së fundmi, Diego Carlos u shpreh se mund të pranojë largimin nga Sevilla vetëm për t’u transferuar në një klub të madh. Liverpool duket të jetë skuadra më e interesuar për shërbimet e qendërmbrojtësit dhe sigurisht një klub si kampionët në fuqi të Europës vështirë se mund të refuzohet. Megjithatë, Diego Carlos u shpreh se për momentin është i kënaqur me aventurën e tij tek Sevilla dhe se me merkaton merret agjenti i tij. Braziliani shtoi se ai do të kthejë një përgjigje rreth merkatos kur drejt tij dhe Sevillas të vijë një ofertë konkrete, pasi ai nuk kërkon të prishë marrëdhëniet e mira që ka me drejtuesit apo tifozët e klubit spanjoll. Diego Carlos u bë pjesë e Sevillas verën e kaluar, kur ai u transferua nga Nantes për 15 milionë euro. Me sezonin e mirë që ka zhvilluar deri më tani, vlera e kartonit të brazilianit është rritur ndjeshëm dhe nëse Liverpool apo ndonjë skuadër tjetër kërkon shërbimet e qendërmbrojtësit, duhet të paraqesin tek spanjollët një ofertë prej të paktën 40 milionë eurosh.