Andrea Iannone nga viti i ardhshëm do të jetë pjesë e skuadrës Aprilia në ‘MotoGP’, por italiani që aktualisht është në fund të kontratës me Suzukin, duket se ende nuk e ka kuptuar pse drejtuesit e markës japoneze e lanë të largohej. Iannone thotë se pas një viti zhgënjyes si 2017-a, këtë sezon ai dhe piloti tjetër, Alex Rins janë dedikuar me të gjitha forcat që skuadra të bëjë mirë, dhe këtë sipas tij e dëshmojnë edhe 7 podiumet e arritura përgjatë sezonit. Në 2019-ën, Suzuki ka konfirmuar se do të vazhdojë kontratën me Rins dhe se piloti i dytë do të jetë talenti i ‘Moto2’, Joan Mir.
Andrea Iannone nuk ia ka dalë në fakt t’i realizojë pritshmëritë ndaj tij që nga dita kur shkeli në ‘MotoGP’. Italiani cilësohej si një talent premtues që mund të arrinte gjëra të ngjashme me ato të Valentino Rossit. Por jeta jashtë pistës e ka trazuar Iannonen që nuk e shfaqi dot potencialin e tij të plotë as tek Suzuki, ndonëse në këtë sezon, tek marka japoneze ai është parë të përmirësohet ndjeshëm. Tek Aprilia vitin e ardhshëm Iannone nuk do të gjejë një situatë më të mirë se tek Suzuki, pasi italianët po vuajnë që të krijojnë një motor kompetitiv, të denjë për të dueluar me skuadrat e tjera.