Mbappe Lottin është prej kohësh një nga futbollistët më të pëlqyer e më të vlerësuar në arenën botërore dhe të shumtë janë ata që thonë se francezi ka një të ardhme të madhe përpara. Pjesë e kësaj liste është bërë edhe trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti. Tekniku italian shprehet se Mbappe është një talent i padiskutueshëm e me potencialin për të arritur gjëra të mëdha. 19-vjeçari jo më kot sipas tij është ndër kandidatët për “Topin e Artë”, pasi fitoi Kupën e Botës me Francën dhe e ndihmoi PSG ta mbyllte sezonin e kaluar me tre trofe të fituar në Francë.
Mbappe ka patur një fillim të shkëlqyeshëm të sezonit aktual, me tetë gola të shënuar në Ligue 1, duke përfshirë edhe një “poker” mahnitës kundër Lyon-it dhe dy gola në Ligën e Kampionëve.PSG-ja do të presë Napolin në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve dhe Ancelotti mori shkasë që të flasë për futbollistin francez. “Mbappe është një lojtar i mire dhe shumë i shpejtë. Në fakt, ka shumë lojtarë të shpejtë, por diferenca është se Kylian mund të jetë edhe i shpejtë, edhe efektiv në të njëjtën kohë. Në çfarëdo që bën, ai është deçiziv. Mbappe është një djalosh që nuk ka frikë, një lojtar që nuk mendon për shfaqje boshe. Ai është shumë i ri, por do të bëhet një yll në vitet e ardhshme”.