E bujshme tek Hamburg, Mavrajn e çojnë me 21-vjeçarët!

Sport

mavraj3
Mërgim Mavraj nuk po kalon një periudhë aspak pozitive, ashtu si dhe vetë skuadra e Hamburgut në Bundesligë. Në fillim, mbrojtësi kuqezi u bë zgjedhje e dytë sa i takon qendrës së mbrojtjes së skuadrës gjermane. Por befas, tani ka ardhur vendimi edhe më i rëndë, për ta dërguar shqiptarin që të stërvitet me ekipin e të rinjve, deri në një urdhër të mëtejshëm.  Ky ka qenë vendimi i marrë nga trajneri i ri i Hamburg, Christian Titz, i cili është i treti për ekipin gjerman në këtë sezon. Lojtarit i është komunikuar gjithçka nga drejtori i përkohshëm sportiv, Thomas von Heesen, dhe drejtori sportiv, Bernhard Peters. “Për arsye të stërvitjes, drejtuesit teknikë vendosën që nga sot, Mërgim Mavraj, të mos luajë me ekipin e parë.Prandaj, ne e kemi udhëzuar atë të vazhdojë trajnimin me skuadrën u-21,deri në një njoftim tjetër”, shpjegoi Peters.

mavraj2

Praktikisht, tingëllon si një përjashtim i beftë nga planet e skuadrës për Mavrajn. Dërgimi për t’u stërvitur me të rinjtë duket se e mbyll sezonin për 31-vjeçarin, i cili edhe në miqësoren e fundit në radhët e kuqezinjve, shfaqi probleme fizike, gjë që e evidentoi edhe trajneri Panucci. Mbrojtësi, gjatë këtij sezoni ka zhvilluar 17 ndeshje në Bundesligë. Madje në miqësoret parasezonale krijoi me Kyriakos Papadopoulos çiftin e qendrës së mbrojtjes së Hamburg. Më pas, dalëngadalë humbi terren, edhe për shkak të ndërrimit të shpeshtë të trajnerëve.