E ardhmja e Van Dijk te Liverpool

Sport

Teksa i kanë mbetur vetëm 6 muaj nga kontrata me Liverpoolin, Virgil Van Dijk ka dhënë një mesazh të rëndësishëm rreth të ardhmes së tij. Ashtu sikurse Mohamed Salah, i cili gjendet në të njëjtën situatë, klubi i kuq, nuk ka bërë asnjë lëvizje edhe përsa i takon hollandezit, për të treguar ndonjë dëshirë qëndrimi, apo rinovimi të ujdisë. Në kushte si këto, është mëse e drejtë të mendohet se Van Dijk mund të jetë duke luajtur ndeshjet e tij të fundit me fanellën e kuqe. Në lidhje me këtë situatë, ka folur vetë shtatlarti i prapavijës, i cili kur është pyetur, nuk e ka fshehur dëshirën për të rinovuar.

“Unë e dua klubi, e po ashtu edhe klubi më do. I dua tifozët, e gjithashtu edhe ata më duan. Këtu është një ambient shumë i mirë për të qenë i suksesshëm. Sipas opinionit tim, unë mund të luaj edhe për 3, apo 4 vite të tjera në nivelet më të larta. Megjithatë, të shohim se ç’do të sjellë e ardhmja”, ka thënë Van Dijk.

Duket qartë se dëshira e 33 vjeçarit është të vazhdojë të luajë për 19 herë kampionët e Anglisë, duke e lënë në këtë mënyrë, topin në derën e drejtuesve.

Në lidhje me situatën e Van Dijk, kanë folur edhe personazhe të tjerë të Liverpool, apo edhe ish-lojtarë, të cilët kanë thënë, se rinovimi i kontratës me mbrojtësin hollandez, duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të shoqërisë së kuqe. E ardhmja sigurisht që nuk dihet se ç’do të sjellë, por ajo që mund të thuhet me siguri, është fakti se deri më tani, mes palëve nuk ka asgjë konkrete për të rinovuar paketën, kështu që largimi nuk mund të përjashtohet si mundësi. Van Dijk është pjesë e Liverpool, që prej verës së 2018-tës, atëherë kur u ble për rreth 85 mln euro, e duke u kthyer automatikisht si një nga mbrojtësit më të shtrenjtë të kohës së tij.