E ardhmja e trajnerit Luis Enrique në dyshim, ja 3 emrat që mund ta zëvendësojnë

Sport

Eliminimi I befasishëm I Spanjës nga Kupa e Botës ka ngritur shumë dyshime mbi të ardhmen e trajnerit Luis Enrique. Kontrata e tij me përfaqësuesen iberike përfundon në 31 dhjetor të këtij viti, por tashmë mundësia është mjaft e madhe që palët të ndahen shumë shpejt. Në lidhje me këtë temë, ka folur vetë Enrique, I cili për momentin ka kërkuar qetësi dhe vetëm në një moment të dytë do diskutojë rreth rolit të tij në kombëtare.

“Tani nuk është koha e duhur për të diskutuar të ardhmen time, por duhet të mbledhim veten nga zhgënjimi I pësuar në këtë Botëror. Për momentin dua të bashkohem me familjen, ndërsa në javën e ardhshme do bisedoj me presidentin për këtë çështje”, janë fjalët e 52 vjeçarit.

Mirëpo, në Spanjë nuk e shohin me shumë optimizëm vazhdimin e Luis Enriques në krye të përfaqësueses dhe për këtë arsye mediat kanë dhënë 3 alternativat e para që mund të jenë pasues të Enriques.

Fjala është për Marcelino  Garcia Toral, Ernesto Valverde dhe Luis de la Fuente. Marcelino vjen nga një eksperiencë me skuadra si Bilbao, Sevilla, Villarreal apo edhe Valencia. Valverde, përveç Bilbaos ka drejtuar edhe skuadrën e Barcelonës, ndërsa De la Fuente është trajner I moshave U-21 të Spanjës.