E ardhmja e Luis Albertos, Lazio vendos çmimin për Sergej Milinkoviç-Saviç

Sport

Largimi i Luis Albertos nga Lazio, mund të mos jetë edhe aq i lehtë. Përgjatë kohëve të fundit, për mesfushorin nuk kanë munguar ofertat e majme nga Arabia Saudite, që për shumë futbollistë, është duke u kthyer në një “tokë të premtuar”.

Ndonëse lojtari nuk e ka marrë ende një vendim për të ardhmen e tij, të paktën publikisht dhe zyrtarisht, Lazio po përpiqet të bëjë çmos që 30 vjeçari spanjoll të mos largohet nga “Olimpico”. Duke u bazuar në raportimet e mediave italiane, klubi kryeqytetas i Italisë po shqyrton një rinovim të kontratës me lojtarin në fjalë.

Marrëveshja aktuale e lojtarit, përfundon në verën e 2025-tës, por klubi i kaltër ka nisur nga puna që kjo marrëveshja të zgjatet edhe për disa sezone të tjera me radhë. Nuk dihet me saktësi koha se kur Lazio do t’i “propozojë” futbollistit, por në kontratën e re parashikohet të ketë edhe një përmiësim të termave financiarë.

Nga 3 milionë euro që paguhet aktualisht, nëse rinovom, Luis Alberto do të përfitojë 4 milionë euro, plus edhe disa bonuse të tjera, që parashikohen të jenë pjesë e paketës.

Më tej, një tjetër çështje që Lazio kërkon të zgjidhë së shpejti është edhe ajo e Sergej Milinkoviç-Saviç. Në verën e ardhshme, serbit i përfundon kontrata, çka do të thotë se mund të largohet me parametra zero nga Lazio. Klubi i kaltër e di mirë këtë gjë dhe për këtë arsye, është duke punuar që ky diskutim të mbyllet gjatë ditëve të ardhshme.

Sipas informacioneve që vijnë nga mediat italiane, Milinkovic-Saviç nuk është më “i paprekshëm”. Përderisa nuk po arrihet deri tek rinovimi, për shitjen e tij, Lazio do të pranonte një ofertë deri në 40 milionë euro. E ardhmja e 28 vjeçarit parashikohet të jetë në Itali, me Juventsin dhe Interin që interesohen për mesfushorin, por ende nuk ka një lëvizje konkrete të klubeve në fjalë.