E ardhmja e Lautaro Martinez e destinuar për të qenë zikaltër, kapiteni drejt rinovimit

Sport

E ardhmja e Lautaro Martinez është e destinuar të jetë zikaltër. Kapiteni i Interit është kthyer në lokomotivën e skuadrës së Simone Inzaghit, teksa sezon pas sezoni, ka treguar dashurinë e tij për fanellën e 19 herë kampionëve të Italisë.

Marrëveshja aktuale e argjentinasit me Interin përfundon në verën e 2026-tës, por shumë shpejt ajo mund të ndryshojë. Mediat përtej detit, bëjnë me dije, se Interi ka gati një kontratë të re, deri në verën e 2028-tës, teksa në brendësi të paketës do të ketë edhe një përmirësim të termave financiarë.

Përgjatë ditëve të ardhshme, agjenti i futbollistit, pritet të takohet me drejtuesit zikaltër për të nisur negociatat e nënshkrimit të radhës, teksa për të hedhur të zezën mbi të bardhë, parashikohet të mos ketë asnjë pengesë.

Lautaro, u bë pjesë e Interit në 2018-tën, teksa me kontratën e re, do të thotë se ai do të jetë pjesë e gjigantëve të Milanos, për të paktën një dekadë, duke hedhur në këtë mënyrë themelet e një simboli të klubit, ashtu sikurse bashkombasi i tij, Javier Zanetti.

Në total, “El Toro” është aktivizuar 244 ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanellën zikaltër dhe regjistron 108 gola të shënuar, e 38 asiste.

Këtë edicion, kapiteni i skaudrës së Simone Inzaghit, e ka nisur në një mënyrë të shkëlqyer, teksa në 6 javët e para mes Serie A dhe Champions League, ka arritur të shënojë po kaq gola.