E ardhmja e Grezdës në pikëpytje të madhe

Sport

Të gjitha sinjalet që vijnë tregojnë se me shumë mundësi, e ardhmja e Eros Grezdës do të jetë larg Rangers. Në një moment mendua se shqiptari, përmes golave të bukur që ka realizuar deri tani në fazën përgatitore, mund të kishte ndonjë shans nga trajneri Steven Gerrard. Mirëpo ka rezultuar thjesht një iluzion. Gjakovari është kthyer të stërvitet me skuadrën e Gerrard, megjithatë i kanë bërë të ditur se duhet të gjejë një sistemim të ri për sezonin e ri. Që nuk është më në planet e teknikut anglez, dallohet qartë edhe nga fakti se ai e ka lënë Grezdën jashtë listës së prezantuar në UEFA, sa i takon ndeshjeve që Rangers do të zhvillojë ndaj St Joseph’s për Europa League. Me pak fjalë, lojtari i Kombëtares kuqezi duhet të kërkojë për një skuadër tjetër, përndryshe karriera e tij mund të vendoset në pikëpyetje të madhe.


Futbollisti i kombëtares zhgënjeu në sezonin e tij të parë në Skoci, aq sa u konsiderua si një ndër afrimet aspak të goditura të merkatos verore. Gjakovari u shoqërua nga disa probleme fizike përgjatë sezonit, çka ndikuan në paraqitjet e tij. Kjo e penalizoi edhe në aktivizimet me Kombëtaren shqiptare, aty ku pati edhe një përplasje me trajnerin Edy Reja, i cili nuk e shihte titullar. Gjë që e detyroi Grezdën të vendoste për t’u larguar nga përfaqësuesja para dy ndeshjeve me Islandën dhe Moldavinë.