Deri përpara pak ditësh konsiderohej i sigurtë transferimi i tij me Atleticon e Madridit në Spanjë. Madje, spanjollët kanë bërë edhe ofertë zyrtare te drejtuesit e Napolit prej 15 milionë eurosh, megjithatë mësohet se është refuzuar nga klubi italian, me arsyetimin se Hysaj vlen të paktën 25 milionë. Pas këtij momenti palët duket se janë distancuar. Aq sa Atletico duket se ka vendosur të drejtohet nga një tjetër objektiv, siç është Keiran Tripier i Totenhemit. Madje raportohet se mbrojtësi anglez është shumë afër kalimit në Madrid.
Në një situatë të tillë, për Hysajn duket se ka hyrë në garë Roma. Sipas mediave italiane duke parë hezitimin e spanjollëve, në garë ka ndërhyrë Roma. Verdhekuqtë, kanë qenë edhe më parë të interesuar për mbrojtësin, por duket se këtë herë janë më të vendosur. Sikurse raporton Calciomercato.com, drejtuesit e klubit kryeqytetas e kanë si alternativë lojtarin shqiptar. Pikërisht, përflitet se Alessandro Florenzi mund të transferohet në Spanjë tek Sevilla dhe në këto kushte, lojtari ideal për të mbuluar krahun e djathtë të mbrojtjes do të ishte 25-vjeçari nga Shkodra, i cili këtë merkato është kthyer në një objektiv për shumë skuadra të njohura. Ndër to janë edhe Interi, Juventusi, apo edhe Manchester United. Deri në fundin e verës, atëherë kur mbyllet edhe merkatoja, mund të ndodhin shumë gjëra.