Kur nga merkatoja e verës kanë mbetur vetëm edhe disa orë, e ardhmja e Cristiano Ronaldos vazhdon të mbetet mister. Megjithatë, mediat britanike, janë përpjekur sërish të hedhin dritë mbi këtë ngjarje, duke raportuar se agjenti i sulmuesit, Jorge Mendes ka kontaktuar sërish Chelsean.
Në fakt, transferimi i CR7 në Stamford Bridge ka qenë një temë diskutimi që në muajt e parë të kësaj vere, por çështja nuk u zhvillua më tej, për shkak se londinezët preferuan të tjera lëvizje në merkato.
Sidoqoftë, ylli portugez është rikthyer të jetë edhe një herë tjetër temë diskutimi në kampin e Chelsea. Thomas Tuchel ka nevojë për një qendërsulmues, sidomos pas largimit të Romelu Lukakut dhe Timo Ëerner.
Një mundësi mbetet edhe Pierre Emerick Aubameyang nga Barcelona, por tashmë që pjesë e listës është shtuar edhe Cristiano Ronaldo, “topi” ka mbetur në duart e takticienit gjerman, i cili duhet të bëjë zgjedhjen përfundimtare. Megjithatë, asgjë nuk dihet me siguri se çfarë mund të ndodhë në lidhje me këtë situatë.
Disa ditë më parë, në një deklaratë publike në rrjetet sociale, Crisitano Ronaldo theksoi se do ishte ai vetë që do e qartësonte të ardhmen e tij. Deri më tani nuk ka asnjë reagim, por duke qenë se jemi vetëm në orët e fundit të merkatos, padyshim që zhvillime interesante pritet të ndodhin në një të ardhme shumë të afërt.