E ardhmja e Coutinhos e paqartë, Barcelona i bën “dhuratë” klubit të Premier League

Sport

E ardhmja e Philippe Coutinhos është ende e paqartë. Braziliani, në pronësi të Barcelonës, në verën e shkuar u transferua tek Bayern Munich në formën e huazimit për një sezon, pasi në Camp Nou nuk kishte më besim ndaj tij. Deri në këtë fazë, me kampionët e Bundesligës, Coutinho ka luajtur 32 ndeshje në total, ndërsa ka arritur të realizojë 9 gola, të kombinuar me 9 asist. Megjithatë, sipas mediave spanjolle, Bayern nuk e sheh me shumë siguri blerjen e kartonit të mesfushorit, vlera e të cilit shkon deri në 120 milionë euro. Në këto kushte, Barcelona kërkon me çdo kusht shitjen e anësorit, ndërsa tashmë ia kanë ofruar lojtarin skuadrës së Chelsea. Premier League është një kampionat që 27 vjeçari e njeh mjaft mirë, duke qenë se në të shkuarën ka luajtur me Liverpool, por një rikthim në Anfield Road, ndoshta do të ishte i pamundur. Ndërkohë që Chelsea mund të jetë duke e konsideruar këtë mundësi për të afruar Coutinhon në skuadër, të tjera klube në Angli janë të interesuar për të përfituar këtë futbollist. Konkretisht, interes ka shfaqur Manchester United, Tottenham dhe Arsenal. Të presim merkaton e verës për të mësuar përfundimisht të ardhmen e Philippe Coutinhos.