E ardhmja e Carlo Ançelottit vijon të jetë e paqartë. Prej disa kohësh, Federata Braziliane e Futbollit ka shfaqur hapur një interes të lartë për trajnerin e Real Madrid, në mënyrë që italiani të emërohet në krye të përfaqësueses Selecao.
Publikisht, vetë Ançelotti është shprehur se vëmendja e tij është e përqendruar vetëm tek Real Madrid, klub me të cilin ka një kontratë të vlefshme deri në verën e 2024-tës. Mirëpo, në mediat ndërkombëtare thuhet se Ançelotti nuk është i kënaqur me mënyrën se sip o menaxhohet merkatoja nga Los Blancos.
Pas largimit të Karim Benzema, mesa duket, klubi nuk do të afrojë një sulmues me peshë këtë verë, pasi e ka përqendruar vëmendjen tek Kylian Mbappe, i cili pas një viti, ka të drejtën të largohet me parametra zero nga PSG dhe mund të zbarkojë në “Santiago Bernabeu”. Për këtë arsye, drejtuesit e Realit parashikojnë që sezonin e ri ta përballojnë me organikën aktuale.
Mirëpo, një gjë e tillë, mesa duket nuk i ka pëlqyer Ançelottit, sepse në këtë mënyrë, misioni i tij për të fituar trofe të rëndësishëm, përkthehet në një mision gati-gati të pamundur.
Duke e parë situatën në këtë këndëvështrim, e ardhmja e Ançelottit në krye të Real Madrid duket mjaft e paqëndrueshme dhe mund ta ketë fundin në verën e 2024-tës, atëherë kur përfundon edhe i kontrata me 14 herë kampionët e Europës.
Sigurisht që këto ngjarje shkojnë në interesin e Federatës Braziliane të Futbollit, duke shpresuar që sa më shpejtë, Ançelotti, të marrë drejtimin e 5 herë kampionëve të botës.