Dyshimet rreth të ardhmes, reagon publikisht Cristiano Ronaldo

Sport

Cristiano Ronaldo ka folur publikisht për të ardhmen e tij. Gjatë kësaj vere, ylli portugez është kthyer në qendës të vëmendjes për një largim të mundshëm nga Manchester United. Madje, mediat ndërkombëtare, vazhdimisht kanë raportuar se 5 herë fituesi i Topit të Artë u ka kërkuar djajve të kuq ndërprerjen e parakohshme të kontratës, në mënyrë që të ketë mundësi të largohet me parametra zero nga Old Trafford.

Sa i përket klubit të radhës, aludimet kanë qenë të ndryshme, ndërsa peshat e mëdha të kontinentit e kanë shmangur mundësinë e firmosjes me të, duke filluar që nga Chelsea, Bayern Munich, apo edhe Atletico Madrid.

Megjithatë, për të gjitha këto aludime, ka reaguar vetë portugezi në rrjetet sociale, teksa I kundërpërgjigjet një lajmi të shkruar për të, ku thuhet se në të gjithë këtë situatë, ka ndërhyrë Sir Alex Ferguson, ndërsa nga ana tjetër, Manchester United këmbëngul se CR7 nuk është në shitje.

Këtë informacion, Ronaldo e ka quajtur gjithçka një gënjeshtër dhe se emri i tij përmendet vetëm për vëmendje.

“E keni të pamundur të mos flisni rreth meje, sepse ndryshe, shtypi nuk do kishte mundësi të bënte para. Ju e dini, që nëse nuk gënjeni, atëherë nuk mund të jeni dot në vëmendjen e publikut. Vazhdoni kështu, sepse ndoshta një ditë, mund të raportoni një ndonjë lajm të saktë”, ka ironizuar më tej 5 herë fituesi I Champions League.

Për momentin, Cristiano Ronaldo është rikthyer në Manchester, ndërsa e ardhmja e tij, pritet të qartësohet brenda një kohe të shkurtër.