Dybala pranon se argjentinasit e urrejnë Ronaldon

Sport

Lionel Messi është më shumë se lojtari më i mirë në botë. Në vendlindjen e tij, Argjentinë, Messi konsiderohet si një ‘mit’ dhe është e kuptueshme që rivalët e tij në futboll nuk janë dhe aq figura të dashura në vendin e Amerikës latine. Këtë e ka pranuar edhe Paulo Dybala, i cili zbuloi se i ka thënë shokut të tij të skuadrës tek Juventus, Cristiano Ronaldos, se atë e urrejnë në Argjentinë. Dybala tha se duke qenë rivali më i madh i Messit, Ronaldo nuk e ka të lehtë të fitojë simpatinë e tifozëve argjentinas, pavarësisht se ka shënuar emrin e tij si një nga lojtarët më të mirë të historisë së futbollit. Por Dybala shkoi më tej duke thënë se të gjithë lojtarët argjentinas, njësoj si tifozët, nuk kanë një përshtypje të mirë për Ronaldon.
“I kam thënë se në Argjentinë të gjithë të urrejmë. Edhe lojtarët nuk e kanë qejf figurën tënde, për shkak të asaj që je, madje edhe për shkak të mënyrës së si ecën.”
Megjithatë, vetë Dybala është surprizuar nga ajo që ka zbuluar pasi është takuar për herë të parë me Ronaldon si shok skuadre, kur portugezi bëri lëvizjen e tij nga Real Madrid tek bardhezinjtë e Juventus. Dybala tha se njerëzit duhet të heqin dorë nga të tilla paragjykime, pasi Ronaldo sipas tij, është një njeri i shkëlqyer brenda dhe jashtë fushës.