Dybala po ikën me parametra zero, Juventusi përgatit rinovimin për një tjetër futbollist

Sport

Me sezonin futbollistik që po shkon drejt fundit, Juventusi po përgatitet për atë të ardhshmin. Klubi torinez pritet të jetë mjaft aktiv në merkaton e verës, në mënyrë që të ndërtojë një skuadër konkurese për edicionin tjetër.

Megjithatë, përveç emrave që lakohen gjatë këtyre ditëve në zyrat e Allianz Stadium, Zonja e Vjetër ka vendosur t’i japë prioritet rinovimit të kontratës me një prej lojtarëve më të rënndësishëm të organikës. Fjala është për Matthijs De Ligt. Në fakt, jo në pak raste, hollandezi është komentuar se mund të largohet nga bardhezinjtë, mirëpo nuk do të jetë kështu.

Sikurse raportojnë mediat përtej Adriatikut, Juventusi do rinovojë edhe për 2 vite të tjera me mbrojtësin e qendrës. Pra, deri në vitin 2026-të, duke qenë se marrëveshja aktuale përfundon në verën e 2024-tës. De Ligt është vetëm 22 vjeç dhe klubi synon që ai të kthehet në simbolin e ardhshëm të prapavijës bardhezi, pasi hollandezi konsiderohet me një potencial prej lideri.

Ndërkohë, pasi u përshëndet për herë të fundit me tifozët e Juventusit, ende e paqartë mbetet e ardhmja e Paulo Dybalas, i cili do largohet me parametra zero nga gjigantët e Torinos. Për argjentinasin interesohet Interi, por nuk përjashtohet mundësia që, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, fantazisti të luajë në Spanjë, aty ku për të, interesohet Atletico Madrid.