Paulo Dybala dhe Juventus do të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre në fundin e këtij sezoni dhe teksa skuadrat në ‘Serie A’ po luajnë minutat më vendimtare për verdiktet e 2021/22-shit, disa prej klubeve kanë nisur punën në merkato. Emri i Dybala-s ka filluar të përflitet jo pak javët e fundit, me Inter-in që po e ndjek me kujdes situatën e fantazistit argjentinas.
Mediat italiane raportuan për bisedime të avancuara mes klubit zikaltër dhe përfaqësuesve të Dybala-s, por asnjë nga palët e përfshira nuk e ka konfirmuar diçka të tillë. E ardhmja e 28-vjeçarit mund të jetë sërish në Itali, pasi veç Inter-it, në skenë ka dalë edhe Roma. Kryeqytetasit janë prej kohësh në kërkim të një lojtari me karakteristikat e Dybala-s, duke u nisur nga fakti që në verë mund të largohen emra si Nicolo Zaniolo, që ka shumë oferta në Itali e jo vetëm, por edhe Henrikh Mkhitaryan, të cilit i skadon kontratë në fundin e sezonit.
Por njësoj si në situatën e Inter-it, problem për arritjen e një marrëveshjeje mes Dybala-s dhe Romës mbetet paga e lartë e pretenduar nga argjentinasi. 28-vjeçari raportohet se kërkon të paktën 9 milionë euro në sezon dhe një shifër të tillë, mund t’ja plotësojnë vetëm skuadrat nga jashtë Italisë. Roma gjithësesi po bën përpjekjet e veta për të firmosur me një lojtar të kalibrit të lartë, që do të shtonte jo pak cilësinë teknike dhe fantazinë tek ekipi i trajnerit Jose Mourinho. Konkurenca për të firmosur me Dybala-n mbetet e madhe, pasi veç klubeve të mëdha italiane, për të interesohen edhe klube me emër të Europës si Arsenal, Man.United, Tottenham, Neëcastle, Barcelona dhe Sevilla.