Dy lojtarë të tjerë të Liverpool mund të trasferohen në Arabinë Saudite. Sikurse shkruajnë mediat në ishull, fjala është për Joel Matip dhe Thiago Alcantara. Si mbrojtësi, ashtu edhe mesfushori, janë në vitin e fundit të kontratës me klubin anglez, kështu që mund ta shohin të arsyeshme për ta ndërtuar pjesën tjetër të karrierës në Lindjen e Mesme.
Më konkretisht, klubi që interesohet për dyshën në fjalë, nuk është një emër i panjohur për Liverpool. Al-Ettifaq është emri i klubit që synon të bëjë transferimin e dyfishtë nga Anfield. Trajner i Al-Ettifaq është një legjendë e The Reds, sikurse është Steven Gerrard. Skuadra e ish-mesfushorit nuk po arrin të ketë sukses këtë sezon, teksa ndodhet në vendin e 8 të tabelës së renditjes. Thënë këtë, Gerrard ka komunikuar me drejtuesit e klubit dhe i ka vënë në dijeni, se për të korrur sukses, duhet ndërhyrje me çdo kusht në merkato.
Mirëpo, El-Ettifaq nuk mund të kryejë dot blerje të shtrenjta, për shkak të buxhetit të limituar. Në rrethana si këto, krerët kanë filluar të ndjekin lojtarët që janë në përfundim të kontratës në Europë. E pikërisht, në këtë aspekt, Matip dhe Alcantara i shkojnë për shtat kësaj situate.
Nuk dihet nëse mund të ketë një lëvizje konkrete përgjatë merkatos së Janarit, apo gjithçka do të lihet për në verë, por nëse dy lojtarët në fjalë do të bëheshin pjesë e Al-Ettifaq, atje do të bashkoheshin sërish me një ish-shokë skuadre tek Liverpool, sikurse është Jordan Henderson, i cili u bashkua me ekipin e drejtuar nga Steven Gerrard, në merkaton e verës së vitit 2023.
Në Lindjen e mesme kanë shkuar edhe dy lojtarë të tjerë të Liverpool, sikurse janë Roberto Firmino, apo edhe Fabinho.