Dy lojtarë të tjerë, rinovojnë kontratën me Real Madrid

Sport

Periudhë rinovimesh tek Real Madrid. Pasi është siguruar e ardhmja e Vinicius JR, klubi i Los Blancos ka bërë të njëjtën gjë edhe me dy futbollistë të tjerë. Fjala është për Federico Valverde dhe Eduardo Cavavinga.

Përgjatë viteve të fundit, e më konkretisht, që nga 2018-ta, uruguajani është kthyer në një prej pikave më të forta të formacionit madrilen, e në veçanti të Carlo Ançelottit. Marrëveshja aktuale e Valverdes, e përditësuar dy vite më parë, përfudon në verën e 2027-tës, mirëpo Reali ka përpiluar një tjetër kontratë, deri në 2028-tën, ku ndër të tjera, një vlerë të veçantë ka marrë klauzola e largimit, që është caktuar 1 miliard euro, duke ia pamundësuar kësisoj mundësinë çdo klubi për të transferuar futbollistin në fjalë.

E njëjta formulë është aplikuar edhe mbi të ardhmen e Camavingas, kontrata aktuale e të cilit përfundon në 2027-tën, por që do të përditësohet edhe për një tjetër vit, me klauzolë largimi 1 miliard euro. Në sezonin e tij të 3-të në “Santiago Bernabeu”, francezi ka treguar vlera të mëdha në mesfushë dhe konsiderohet një prej atyre që në vijim, do të marrë në dorë çelësat e mesfushës së 14 herë kampionëve të Europës.

Sipas mediave pran klubit madrilen, por edhe më gjerë se kaq, kontratat janë nënshkruar, ndërsa pritet vetëm zyrtarizimi i tyre, që parashikohet të vijë shumë shpejt. Për vinicius ishte menduar në javën e parë të Tetorit, por një gjë e tillë nuk ndodhi, për shkak se presidenti Florentino Perez u infektua me Covid 19-të.