Sadio Mane dhe Joao Cancelo nuk kanë vend në skuadrën e Thomas Tuchel për sezonin tjetër. E ardhmja e dy lojtarëve të sipërpërmendur duket larg Bayernit të Mynihut, pavarësisht se pritshmëritë ishin të kundërta.
Mane, u transferua në bujë të madhe në Allianz Arena dhe tek ai shihej lojtari që do të bënte diferencën në sulmin e Bayernit, pasi prej andej u largua Robert Leëandoësski. Mirëpo, gjërat nuk shkuan aspak sipas planit.
Ndikuar sigurisht edhe nga problemet fizike, Mane e ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm 12 herë në 37 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet. Kjo përqindje finalizimi, konsiderohet e pamjaftueshme nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë nisur të ndryshojnë planin e tyre në lidhje me senegalezin.
Mirëpo, nuk është ky problemi i vetëm. Ishte konflikti fizik i lojtarit me shokun e tij të skuadrën Leroy Sane, ai që pak a shumë vendosi edhe të ardhmen e lojtarit në Bavari, pasi një veprim i tillë është konsideruar si një thyerje e disiplinës së hekurt të të vendosur nga klubi.
Po ashtu, këtë sezon, Sadio Mane, nuk ka qenë i lumtur as me trajnerët që ka pasur në dispozicion. Ai ishte një prej atyre që ishin pro largimit të Julian Nagelsmann në gjysmë të sezonit, mirëpo duhet thënë se situata nuk ka ndryshuar as me Thomas Tuchel. Gjermani, nuk e shikon atë aq thelbësor për skemat e tij të lojës, por kërkon më tepër një profil lojtari, që të jetë pykë e mirëfilltë.
Thënë këtë, aventura e Mane në radhët e Bayernit mund të konsiderohet vetëm një vjeçare, teksa të ardhmes së tij, ende nuk i dihet.
Në një situatë të ngjashme ndodhet edhe Joao Cancelo. Në merkaton e Janarit, mbrojtësi zbarkoi në Bavari me mjaft bujë, i huazuar nga radhët e Manchester Cityt deri në fund të sezonit. Për të shitur në mënyrë përfundimtare kartonin e portugezit, anglezët kërkojnë të paktën 60 mln euro. Nga ana tjetër, Bayerni e konsideron të lartë një shifër të tillë dhe nuk e shikon të arsyeshme që të investojë kaq shumë për Cancelon.
Mirëpo, duke marrë për bazë informacionet që përcillen nga mediat e huaja, Bayerni nuk e ka në plan blerjen e Cancelos edhe për një arsye tjetër; portugezi ka një karakter mjaft të vështirë për t’u menaxhuar dhe në kampin e kampionëve të Gjermanisë, të tillë lojtarë nuk mund të kenë vend për një kohë të gjatë. Si pasojë, në mbyllje të këtij sezoni, Cancelo do të rikthehet edhe një herë tjetër në skuadrën e Manchester Cityt.
Megjithatë, për gjithçka që u tha më lart, më saktë do të verifikohet në merkaton e verës, që është shumë pranë.