Momente çmendie për Aleksandr Kokorin dhe Pavel Mamaev në Rusi. Dyshja e kombëtares, që aktivizohet me Zenitin dhe Krasnodarin, është përjashtuar nga përfaqësuesja dhe rrezikon largimin nga skuadrat respektive për faktin se janë përfshirë në një sherr me një zyrtar të shtetit. Pamje filmike kanë treguar momentet ku në orët e para të mëngjesit, në një local, Mamaev përleshet me zyrtarin ndërsa Kokorin madje e godet me një karrige. Situata rëndohet në dalje teksa dyshja thuhet se ka qenë në gjendje të dehur. Mediat ruse raportojnë se sportistët në fjalë, 27 dhe 30 vjeç, tashmë po ndiqen penalisht dhe Kokorin rrezikon edhe burgun, më saktësisht deri në 5 vjet. Menjëherë sapo pamjet u bënë publike nga mediat klubi i Zenitit dhe ai i Krasnodar kanë dënuar rastin duke u distancuar nga veprimet e lojtarëve të tyre.
“Po shqyrtojmë mundësitë për t’u prishur kontratat” lexohej në komunikatat për shtyp. Kokorin dhe Mamaev cilësohen si dy prej lojtarëve kryesorë të përfaqësueses ruse dhe dy miq të ngushtë. Kokorin pak muaj më parë u përfshi në një tjetër skandal ku në një dasmë u pa teksa qëllonte me armë. Në rastin më të fundit gjesti dhe veprimi agresiv nuk ka kaluar paqtë edhe pa u përfshirë nga politika. Ministri i Sportit Pavel Kolobkov deklaroi menjëherë përjashtimin e të dy lojtarëve nga kombëtarja e Stanislav Cherchesov. Ai tha se Kokorin dhe Mamaev nuk do të luajnë më kurrë me përfaqësuesen ndërsa sipas raportimeve të mediave, ngjarja ka zanafillën në gjeste raciste.