Manchester United e ka kthyer në festë ndeshjen e javës së 16-të të Premier League. Djajtë e Kuq arritën të fitonin bindshëm në shtëpi me rezultatin 3-0 ndaj Nottingham Forest. Në të 19-tën minutë, ishte Marcus Rashford ai që e dërgoi topin i pari në fundin e rrjetës. Ky ishte goli i 10-të sezonal për Rashford këtë edicion futbollistik, dyfish më shumë sesa realizoi përgjatë gjithë edicionit të kaluar. Këto të dhëna duken premtuese nga ana e britanikut, i cili mesa duket po arrin të gjejë edhe një herë formën e tij më të mirë.
Në të 22-tën, Anthony Martial dyfishoi rezultatin, kurse 3 minuta nga fundi i ndeshjes, Fred, i asistuar nga bashkëkombasi i tij, Casemiro, realizoi edhe golin e 3-të për ekipin e drejtuar nga Erik Ten Hag. Ky gol, i gatuar tërësisht nga dy lojtarë brazilianë, ndodhi për herë të parë në historinë e Manchester United në Premier League.
Pas 16 javëve, United mbetet në vendin e 5-të të klasifikimit, në kuotën e 29 pikëve, një më pak sesa Tottenham i vendit të 4.
Sakaq, në javën e 16-të, një fitore me mjaft peshë ka arritur edhe Chelsea, duke triumfuar 2-0 ndaj Bournemouth në shtëpi. Kai Havertz në minutën e 16-të dhe Mason Mount në të 24-tën, ishin dy autorët e golave të skuadrës së graham Potter. Në këtë mënyrë, Blutë e Londrësi japin fund ecurisë negative prej 3 humbjesh radhazi në kampionat, teksa për momentin, renditen në vendin e 8-të të klasifikimit me 24 pikë.