Luajti titullar në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Kaljarit. Trajneri Gasperini shpenzoi fjalë pozitive për të. Megjithatë, Berat Gjimshiti shihet larg Atalantës, nga mediat. Prej disa javësh flitet për transferimin e tij në Turqi, ku ‘Shqiponjat’ e Beshiktashit janë gati që të ofrojnë 500 mijë euro për mbrojtësin. Madje flitet se shumë shpejt mund të ketë zhvillime në këtë drejtim. Mirëpo së fundi kanë hyrë në garë edhe dy klube të tjerë italianë, që duket sikur duan t’u prishin punë turqve. Së pari, është Sasuolo që e sheh Gjimshitin si një mbrojtësin që mund të përforcojë repartin e prapavijës, përderisa ka disa probleme si pasojë e dëmtimeve. Për më tepër, tekniku De Zerbi e njeh mirë lojtarin shqiptar dhe se cfarë mund të japë ai, duke qenë se e ka trajnuar te Benevento.
Në fakt, pengesa për një transferim të mundshëm të Gjimshitit te Sasuolo mund të jetë vetëm formula, me të cilën kërkon ta marrë klubi nga Modena, përderisa e dëshiron në huazim. Ndërsa Atalanta kërkon të përfitojë nga shitja e mundshme e mbrojtësit, pasi kontrata e tij përfundon në fund të sezonit. Ekziston frika që futbollisti të mund të largohet me parametër zero. Por gjithashtu për Gjimshitin ka dalë në dritë edhe opsioni i një rikthimi të mundshëm te Benevento. Klubi, ku ai luajti sezonin e shkuar, kërkon një mbrojtës për ta vendosur në dispozicion të trajnerit Buki. E prandaj emri i parë në listë është ai i Gjimshitit. Sipas mediave italiane, drejtuesit verdhekuq kanë nisur punën pikërisht për rikthimin e shqiptarit. Megjithëse duket mjaft e vështirë që ai të pranojë të luajë në Serinë B, duke ditur që synimi është vetëm për lart dhe jo të kthehet prapa.