Dy emra të rinj dalin në skenë për të marrë drejtimin e Napolit

Sport

Dy emra të rinj kanë dalë në skenë për të marrë drejtimin e Napolit. Fjala është për Paulo Sousa dhe Christophe Galtier. Sa I përket të Suosas, portugezi është I gatshëm të emërohet në stolin e kampionëve  të Serie A, ndonëse vetëm pak kohë më parë rinovoi kontratën me klubin që drejton aktualisht, Salernitanën, deri në verën e ardhshme.

Sousa I dha një bonus të mirë vetes, teksa siguroi mbijetesën në Serie A me ekipin e granatave. Megjithatë, fakti që 52 vjeçari ka rinovuar, nuk përbën asnjë problem, sepse duke nisur nga 20 Qershori I këtij viti, në kontratën e tij, aktivizohet një klauzolë largimit, që është konkretisht 1.35 mln euro, një shifër kjo mëse e përballueshme për Napolin.

Ish-tekniku I përfaqësueses polake është gati të vazhdojë projektin e lënë përgjysmë nga Luçiano Spalletti, megjithëse për të qenë pasues I Spallettit në Diego Armando Maradona do të jetë një punë tejet e vështirë, për faktin se Luçiano po largohet si trajneri kampion. Që të drejtojë Napolin, Sousa do të pranonte edhe një pagë prej 2 mln eurosh në sezon, plus edhe bonuse të përfshirë në kontratë.

Sa I përket personazhit tjetër, Christophe Galtier, megjithëse ai vazhdon të jetë trajner I PSG, aventura e tij në Parc des Princes duket e mbyllur. Klubi parizien është duke punuar për të sjellë në krye të ekipit një tjetër emër, e njëkohësisht po punon që ndarja me Galtier të kryhet në mënyrë bashkëpunuese.

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis është një admirues i filozofisë së lojës së Galtier, mirëpo aspekti financiar mund të kthehet në një problem për italianët. Që të emërohet në krye të Napolit, Galtier kërkon 5 mln euro në sezon, një shifër që nga jugorët e Italisë konsiderohet e lartë, e gati-gati e papërballueshme.