Largimi i Nachos nga Real Madrid filloi të dukej i sigurt, me mbrojtësin e qendrës që e kishte konsideruar të mbyllur kapitullin në Santiago Bernabeu dhe ishte gati të niste një tjetër etapë në epokën e fundit të karrierës. Sikurse u përcoll nëpërmjet mediave të huaja, kapiteni i Real Madrid ishte gati të transferohej në kampionatin amerikan të futbollit, pasi nuk preferonte të qëndronte më në Europë.
Duke qenë se lojtarit në fjalë i përfundon kontratë në fund të sezonit, nga një situatë e tillë u përpoq të përfitonte Interi, që nisi të shfaqte interes për ta bërë 34 vjeçarin pjesë të skuadrës, ndonëse bisedime konkrete nuk pati.
Megjithatë, asnjë nga këto nuk do të ndodhë. Siç përcillet nga mediat pranë klubit madrilen, Nacho ka ndërruar mendje dhe në një të ardhme mjaft të afërt do të rinovojë sërish kontratën me Real Madrid, të paktën edhe për një tjetër sezon, kurse largimi i tij mund të ndodhë në verën e 2025-tës.
Mbrojtësi dhe klubi kanë biseduar gjerë e gjatë mbi këtë temë përgjatë ditëve të fundit dhe është arritur në një emëruar të përbashkët që ky rrugëtim të vijojë ende dhe Nacho të mbetet pjesë e organikës së 14 herë kampionëve të Europës.
Nacho është një produkt i akademisë së Real Madrid, i bashkuar me moshat në Korrikun e 2007-tës, ndërsa pjesë e skuadrës së parë është që prej Shtatorit të 2012-tës. Me 25 trofe të fituar në total me fanellën e bardhë, Nacho është një prej futbollistëve më të titulluar të Los Blancos. Me një tjetër titull, kapiteni do të bëhej lojtari më i trofeshëm i historisë së Real Madrid.