Duka: Jemi gjithmonë afër Italisë, jo vetëm në futboll

Sport

Edhe Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka lëshuar disa deklarata në Radio Kiss Kiss Napoli, sa i takon dërgimit të 30 mjekëve shqiptarë në Itali për të qenë pranë kolegëve të tyre italianë në përballimin e emergjencës së Coronavirusit: “Jemi afër Italisë. Gjithmonë kemi dashur të japim maksimumin në ndihmë të vendit. Edhe pse nuk është e lehtë të ndihmosh me 30 mjekë. Nuk mendoj se mjafton për të shpëtuar Italinë… Gjithsesi duam të tregojmë edhe një herë se jemi afër kombit italian, ashtu sic ka bërë gjithmonë Italia me ne. Ne jemi në borxh me popullin italian dhe përmes këtij gjesti kemi treguar se bashkimi është i rëndësishëm në këtë moment. Unë kam biseduar me kryeministrin Rama dhe i thashë se bëhet fjalë pr gjestin më të bukur që mund të bënte”.
Gjithashtu, Duka ka folur edhe për Elseid Hysajn, mbrojtësin e Napolit, i cili së fundi ka qenë edhe kapiten i Kombëtares shqiptare. “Kam biseduar me të, ashtu si me të gjithë lojtarët e Kombëtares. Po vazhdon të stërvitet dhe është mirë. Do të thoja se është një situatë e vështirë për të gjithë ne në futboll. Kështu që për futbollistët është akoma më e vështirë, sepse socializimi është më i lartë në një sport kolektiv. Shpresojmë që në fund, të gjithë sëbashku të fitojmë këtë luftë”, ka mbyllur Duka.