Ducati triumfon në garën e shtëpisë në Mugello, Petrucci mposht Marquez!

Sport

Danilo Petrucci ia ka dalë mbanë t’i japë fitoren Ducatit në garën e shtëpisë së italianëve në Mugello. Piloti 28-vjeçar bëri një nga garat e tij më të mira që kur u bë pjesë e Ducatit zyrtar, duke tejkaluar pritshmëritë e të gjithëve për këtë garë. Marquez do të kishtë kryesimin në xhirot e para, por një dalje e gjerë nga kthesa ndërlikoi gjithçka për kampionin në fuqi, që do të humbiste disa pozicione. Spanjolli do të rikuperonte shpejt për të arritur tek vendet e kreut, që pësuan rokadë gjatë gjithë garës. Në xhiron e fundit, Petrucci triumfoi në duelin me Marquez dhe me shokun e skuadrës, Andrea Dovizioso, duke e mbyllur i pari.

Vendi i katërt shkoi për Alex Rins me Suzuki, ndërsa në të pestin surprizoi japonezi Nakagami me Hondan jozyrtare. Zhgënjeu krejtësisht legjenda Valentino Rossi, i cili e pa veten jashtë garës së shtëpisë së tij, pasi humbi kontrollin e Yamahas së tij. Marka japoneze duhet të kënaqet vetëm me vendin e gjashtë të Maverick Vinales, që pati diferenca të konsiderueshme me 4 pilotët e parë. Edhe pas kësaj gare, Marc Marquez vijon të ruajë vendin e parë në renditjen e përgjithshme për pilotë, me 115 pikë, 12 më shumë se Andrea Dozizioso. Vendi i tretë mbahet nga Alex Rins me 88 pikë, ndërsa Petrucci është afruar me 82 pikë. Ndërsa tek konstruktorët, Honda llogarit 121 pikë, kundrejt 115 pikëve të Ducatit.