Drita e Kosovës, arritje historike në Champions

Sport

drita ucl
Kampionët e futbollit kosovarë, Drita e Gjilanit arriti fitoren e parë historike në një kompeticion si Champions League, megjithëse ishte thjesht faza e parë paraeliminatore. Falë suksesit me rezultatin 2-0 në ndeshjen përballë Santa Colomas së Andorrës, gjilanasit fituan të drejtën për të luajtur në finalen e kësaj faze paraeliminatore. Megjithëse e dominoi lojën nga fillimi deri në fund, Drita nuk arriti të shënojë dot gjatë kohës së rregullt. Kështu 90 minutat u mbyllën pa gola, aq sa u deshën kohët shtesë. Ishte minuta e 99-të kur me një gjuajte të bukur nga 30 metra, Xhevdet Shabani, realizoi një super gol për të dërguar Dritën në avantazh.

drita

Një gol që detyroi skuadrën nga Andorra të hapet dhe të lejojë hapësira. Arbër Shala depërtoi në zonë, teksa lojtarët e Santa Colomas e rrëzuan në mënyrë të parregullt lojtarin tjetër të Dritës, Endrit Krasniqi, i cili ishte pa top dhe gjyqtari vendosi për penallti. Nga pika e bardhë rezultoi i saktë Fidan Gërbeshi, që shënoi për të dërguar shifrat në 2-0. Pas kësaj fitoreje në gjysmëfinale, Drita e Gjilanit e ka mësuar kundërshtarin e saj të radhës, me të cilin do të përballet në finalen e paraeliminatores së Ligës së Kampionëve, që është menduar të zhvillohet në formë turneu. Kështu të premten, kosovarët do të ndeshen në finale me skuadrën gjysmëprofesioniste nga Gjibraltari, Lincoln Reds, që nga ana tjetër eliminoi La Fioritan e San Marinos.