Drejtoresha Ridvana Dulaku, “Champions-i vetëm fillimi, prisni surpriza në ‘Tring’”

Sport

 

champions1
Platforma televizive “Tring” pritet të dhurojë të tjera surpriza në të ardhmen. Pasi kanë fituar të drejtën e transmetimit për ndeshjet e Ligës së Kampioneve për tre vitet e ardhshme, po projektohen të tjera investime të fuqishme për të kënaqur shikuesit shqiptarë. Këtë e konfirmon drejtoresha e përgjithshme e platformës “Tring”, Ridvana Dulaku, e cila, në një intervistë për “Panorama Sport”, rrëfen edhe planet e së ardhmes.

Champions League në “Tring”, çfarë do të thotë për një platformë televizive transmetimi i këtij evenimenti sportiv?
Për ne është një ekskluzivitet shumë i rëndësishëm, i cili rikthehet pas 6 vitesh në “Tring”. Duke qenë një nga eventet më elitare të futbollit në Europë, absolutisht ndikon në imazhin dhe ecurinë e aktivitetit tonë, duke na sjellë akoma më afër publikut, shikuesit tonë besnik dhe atyre që na bashkohen çdo ditë.

Çfarë risish do të sjellë “Tring” në tre sezonet që ka fituar të drejtën e transmetimit të Champions-it?
Sporti dhe, në veçanti, futbolli është prioritet absolut në “Tring”. Këtë sezon risia është në cilësinë e transmetimit ku janë shtuar 5 kanale sportive të cilat transmetojnë në HD. E gjithë Champions League do të shoqërohet me programe ku do të ketë analiza, diskutime dhe elementë “show” për të sjellë këtë event gjigant në të gjithë spektrin e vetë. Megjithatë, investimi në kanalet e sportit nuk ndalet vetëm me eventin më të rëndësishëm europian, por do të shoqërohet me formate të ndryshme sporti lehtësisht të krahasueshme me ato të realizuara në platformat më të fuqishme europiane. “Tring Sport News” është një tjetër investim serioz, pasi vjen si kanal 24-orësh që do të plotësojë kërkesat e publikut për informacion. Megjithatë më duhet të siguroj shikuesit e “Tring” që gjithë investimet e bëra nuk do të prekin atë që është edhe elementi më i rëndësishëm i filozofisë sonë në shitje: Gjithcka përfshirë Champions League dhe kampionatet e tjera në një paketë pa pasur kosto ekstra, duke e bërë TRING të përballueshëm ekonomikisht për të gjithë familjet shqiptare.

Po impenjimi sa ndryshon, pasi veç investimit dhe përkushtimit do të jetë më i madh?
Kur ka skuadër ambicioze dhe me dëshirën për zhvillim, gjithçka bëhet më e thjeshtë. Përkushtimi dhe përgjegjshmëria janë në ADN-më e “Tring” për të respektuar atë që është më e rëndësishmja: kontrata me shikuesit. Zhvillim teknologjik, marketing agresiv dhe investim në platformë në programacionin dedikuar gjithë familjes e bën “Tring” jo vetëm një paketë, por zgjedhjen e duhur për shikuesin shqiptar.

Si ishte pas ditës së parë të transmetimit, duke qenë se luajti edhe një ekip shqiptar, si Skënderbeu?
Emocion i pakrahasueshëm. Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, një ekip i yni kualifikohet në këtë fazë të Champions League. Dhe sigurisht që kjo arritje kërkonte vëmendje maksimale duke sjellë për shikuesin në cilësinë më të lartë të transmetimit. Për ne ishte një eksperiencë shumë e mirë, e cila në fakt u shoqërua edhe me përgjegjësi të lartë duke qenë se TRING kishte detyrimin për të realizuar “broadcasting” të ndeshjes për të gjitha platformat që transmetojnë Champions dhe në fund gjithçka u realizua në cilësinë maksimale për herë të parë në territorin shqiptar!Në fund, duke ju falënderuar, më duhet të sigurojë që Champions League është vetëm fillimi i një investimi gjigant që nuk do t’i tradhtojë pritshmëritë e të gjithë shikuesve.

Kjo intervistë është shkëputur nga “Gazeta Panorama Sport”.