Dovizioso ‘qan’ garën e Barcelonës, aty ku Marquez bëri diferencën

Sport

Andrea Dovizioso u përpoq edhe përgjatë këtij sezoni të ishte rivali kryesor i Marc Marquez, por piloti kryesor i Ducatit nuk kishte rendimentin e duhur për të përmbushur objektivat e tij. Në garën e Aragon, u pa qartë se diferencat mes Hondës së Marquez dhe Ducatit të Doviziosos, që e pati të vështirë të ruante ritmin e kampionit të botës në fuqi. Italiani është thuajse i dorëzuar sa i përket luftës për titullin dhe Dovizioso ka vetëm një peng për këtë sezon; garën e Barcelonës. Pikërisht në Katalonjë, Marquez bëri diferencën sa i përket shkëputjes me pikë në renditjen e përgjithshme, teksa pilotë të shumtë, mes tyre edhe vetë Dovizioso, u bënë viktimë të një gabimi të Jorge Lorenzos. Thuajse të gjithë pilotët kryesorë ishin jashtë gare, përveç Marquez, që bëri detyrën dhe mori një fitore të lehtë. Sipas Doviziosos, nëse gjërat në atë garë do të shkonin ndryshe, atëherë Marquez nuk do të ishte kurrësesi në të njëjtat pozita ku është edhe sot. Gjithashtu, fakti që në Barcelonë nuk mori pikë, bëri që Dovizioso të shtynte thuajse gjithmonë përtej limiteve në garat e tjera, çfarë herë pas here e detyonin që edhe të gabonte. Një rast të tillë ai e kujtoi në garën e Silverstone, ku në përpjekje për të marrë maksimumin, përfundoi jashtë gare në një incident me të riun francez Fabio Quartararo. Marc Marquez është shumë pranë konfirmimit si kampion bote në ‘MotoGP’, teksa kur kanë mbetur edhe 5 gara për t’u zhvilluar, spanjolli udhëheq me 300 pikë, 98 më shumë se sa Andrea Dovizioso.