Ndonëse ka vetëm gjashtë muaj që është bërë pjesë e Juventusit, emri i Douglas Luiz ka nisur të qarkullojë në merkato. Mesfushori, i transferuar në radhët e Zonjës së Vjetër për shifrën e diçka më shumë se 50 milionë eurove, para këto që u paguan në arkat e Aston Villas, nuk po ndizet dot në Torino. Nuk ka dyshim, se si mungesë e formës së tij të mirë, kanë qenë edhe dëmtimet, që nuk i kanë mundësuar mesfushorit të gjejë versionin më të mirë të mundshëm.
Megjithatë, kur je pjesë e një klubi të madh, koha është armik për cilindo, kështu që në drejtim të lojtarit brazilian, duket sikur ka nisur të ketë pakënaqësi dhe pritja mund të ketë shfaqur shenja lodhjeje. Thënë këtë, nga mediat matanë detit, ka nisur të spekulohet se Douglas Luiz mund të largohet nga Juventusi dhe se dy klube të Premier League, janë duke monitoruar situatën e 26 vjeçarit, dhe synojnë të sigurojnë shërbimet e tij.
Gjithsesi, këto janë vetëm disa fjalë të para në lidhje me futbollistin e përmendur, ndërsa trajneri i skuadrës së Juventusit, Thiago Motta, e ka shprehur vazhdimisht në daljet e tij mediatike, se Luiz mbetet një element mjaft i rëndësishëm për ekipin, kurse nuk ka asnjë dyshim se dita kur ai të shpalosë të gjithë potencialin e tij në fushë nuk do të jetë e largët.
Deri në këtë fazë të sezonit, Douglas Luiz ka luajtur 11 ndeshje me Juventusin në kampionat dhe Champions League, mirëpo minutat e marra në këmbë janë shumë pak, vetëm 342.