Ashtu siç ishte aluduar kohë më parë, gjermanët e Borussia Dortmund kanë zyrtarizuar trajnerin e ri të skuadrës, Lucien Favre. 60-vjeçari i cili gjatë sezonit që po lëmë pas drejtoi skuadrën e Nice në Francë, ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në “Signal Iduna Park” deri në vitin 2020. Drejtori sportiv i verdhezinjve shprehet se nënshkrimi me Favre është pikënisja e një cilki të ri tëk Dortmund, që kërkon të rikthehet në majat e futbollit gjerman. Këtë sezon, Dortmund e mbylli në vendin e 4-t në “Bundesliga” me një diferencë prej plot 29 pikësh nga vendi i parë i Bayern Munchen.
Zyrtazimet e trajnerëve nuk kanë të ndalur, pasi edhe West Ham ka konfirmuar goditjen në stolin e skuadrës. “The Hammers” kanë firmosur për 3 vite me Manuel Pellegrinin.
Ish-trajneri i Real Madrid dhe Manchester City hoqi dorë nga detyra tek skuadra e Hebei China Fortune, ku kishte edhe 2 vite kontrate e paguhej 10 milione paundë, për të marrë vendin e lënë bosh nga David Moyes. 64-vjeçari do të përfitojë plot 7 milionë paundë në sezon, ku objektivi kryesor do jetë rikthimi i balancës në skuadër dhe stabiliteti që tek skuadra londineze mungon prej kohësh.