Dortmund, ylli i ri i skuadrës është…

Sport

dortmund
Borussia Dortmund është një skuadër që gjithmonë është bazuar në talentet e reja të futbollit, dhe këtë vit verdhezinjtë duket se kanë bërë disa goditje në merkato, si Jacob-Bruun Larsen apo Marius Wolf. Por një lojtar në veçanti ka shkëlqyer në këtë fillim sezoni. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin, Jadon Sancho. Sulmuesi anësor është i pari futbollist anglez që vesh fanellën e Dortmund në gjithë historinë e këtij klubi. Lojtari është një talent i spikatur që kur aktivizohej me të rinjtë e Manchester City. Por drejtuesit e Dortmund vepruan shpejt gjatë verës së kaluar, për ta transferuar lojtarin për 10 milionë euro.

Jadon Sancho

Aktualisht vlera e lojtarit është rritur në 25 milionë euro, por me performancat që po dhuron i riu anglez, gjasat janë që ky çmim të rritet edhe më tej. Sancho, ndonëse vetëm 18-vjeç, ka fituar edhe besimin e trajnerit të Anglisë, Gareth Southgate, që është gati ta përfshijë në kombëtaren angleze. Këtë sezon, nga këmbët e lojtarit krijohen mesatarisht 1 gol për ndeshje. Asistimi duket të jetë një nga pikat e tij më të forta. Në 9 ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanellën e Dortmund, Sancho ka asistuar plot 9 herë për shokët e skuadrës, ndërsa ka shënuar edhe 1 gol. Në Gjermani, shumë kanë filluar ta krahasojnë edhe me Leroy Sane, ndërkohë që tek skuadra verdhezi shohin një të ardhme të madhe për talentin anglez.