Dortmund e konfirmon; Jamie Gittens transferohet tek Chelsea

Sport

Tashmë edhe Dortmundi e ka konfirmuar: Jamie Bynoe Gittens nuk do të jetë më pjesë e skuadrës verdhezi. Talenti anglez do të bëjë realitet rikthimin e tij në vendlindje, pasi Chelsea ia ka dalë mbanë të gjejë akordin për ta transferuar në Londër. Prej kohësh flitej për bisedimet mes Dortmund-it dhe Chelsea-t në lidhje me transferimin e Gittens, i cili fitoi shumë vëmendje gjatë sezonit të shkuar, ku u shfaq si ndër më të mirët në radhët e skuadrës gjermane. Sa i përket detajeve të operacionit, Dortmund-i do të përfitojë nga shitja e kartonit të 20-vjeçarit plot 48,5 milionë paundë, plus 3,5 të tjera në formë bonusesh. Lojtari ndërkohë do të firmosë me ‘blutë’ një kontratë 7-vjeçare, çfarë parashikon ta mbajë në radhët e klubit londinez deri në qershorin e 2032-shit. Për Jamie Bynoe Gittens, ky është një rikthim tek Chelsea, pasi vite më parë, ka patur një eksperiencë në radhët e skuadrave zinxhirë të londinezëve. Dortmund-i ndërkohë ka nisur të studiojë merkaton për të gjetur një zëvendësues të denjë, por edhe për të bërë ndryshime në role të tjera, pasi shitja e Gittens ka garantuar të ardhura të rëndësishme. Për momentin, klubet po zgjidhin disa detaje burokratike, e më pas do të vijë edhe zyrtarizimi i transferimit të lojtarit. Djaloshi me origjinë nga Barbados, por që përfaqëson Anglinë, u bë pjesë e Dortmundi-t në verën e 2020-ës, kur u bashkua me parametra zero nga të rinjtë e Manchester City. Pas një viti tek skuadra e të rinjve, Dortmund-i e promovoi tek ekipi i parë, ku Gittens diti të rrëmbente vëmendjen me shpejtësinë dhe driblimet e tij.