Për shumë tifozë, Borussia Dortmund është skuadra që ka bërë blerjen më të goditur në merkaton dimërore. Afrimi i Erling Braut Haaland ka sjellë një entuziasëm të madh në radhët e gjermanëve, pasi sulmuesi norvegjez ia doli të shënonte 5 gola në thuajse 56 minuta. Ardhja e Haaland zuri vendin e Paco Alcacer, që vendosi të transferohej tek Villareal. Dortmund, veç përpjekjeve për të arritur tek titulli në ‘Bundesligë’, kërkon të vazhdojë aventurën në ‘Champions League’, aty ku në fazën e 1/8-ave e pret një kundërshtar mjaft i fortë si PSG. Për të rritur cilësinë e skuadrës, drejtuesit arritën marrëveshjen për të afruar mesfushorin Emre Can nga Juventus.
Lojtari kishte kohë që kërkonte largimin nga bardhezinjtë, pasi nuk gjente hapësira tek skuadra e drejtuar nga Maurizio Sarri, me këtë të fundit që e kishte lënë turko-gjermanin edhe jashtë listës së ‘Champions League’-ës. Emre Can do të kalojë në Gjermani në formë huazimi me detyrim blerje nga Dortmund për shifrën e 26 milionë eurove. Mesfushori nuk do të përfitojë të njëjtën pagë që merrte tek Juventus, pasi 14 milionë eurot në vit që paguhej nga bardhezinjtë, është një shifër e tepruar për Dortmundin. Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, për Emre Can ka patur interes të lartë edhe nga skuadra të tjera si Arsenal, Tottenham apo PSG. Për të thuhet të jetë interesuar edhe një klub i madh spanjoll, por që nuk dihet se për cilën skuadër nga ‘La Liga’ bëhet fjalë.