Dorëzohet Manchester United, klubi pranon shitjen e Cristiano Ronaldos

Sport

Dorëzohet Manchester United. Pas një rezistence disa ditore, klubi anglez tashmë ka pranuar shitjen e Cristiano Ronaldos. Këtë javë, portugezi nuk është rikthyer në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës dhe arsyeja e kësaj mungese mund të ketë qenë për shkaqe familjare. Të paktën kështu u raportua disa ditë më parë.

Megjithatë, sikurse bëjnë të ditur mediat angleze, CR7 nuk është rikthyer në grumbullim, sepse po pret të konsolidojë lëvizjen e tij të radhës në merkato. Sulmuesi është i bindur se në sezonin e ardhshëm nuk do mbajë veshur fanellën e United. Ai kërkon të luajë në Champions League, një kusht që të kuqtë e Manchesterit nuk ia plotësojnë dot.

Kjo shihet si arsyeja madhore që e ka bindur 37 vjeçarin të paketojë valixhet nga Teatri I Ëndrrave.

Pavarësisht 24 golave të shënuar në 38 ndeshje të luajtura në edicionin 2021/22, United e ka kuptuar tashmë që nuk mund të dalë dot kundër dëshirës së futbollistit. Në këtë tërësi ngjarjesh, 20 herë kampionët e Premier League janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat për yllin portugez. Duke qenë se CR7 ka edhe një vit të mbetur nga kontrata e nënshkruar përgjatë verës së kaluar, United e konsideron afërsisht 20 mln euro vlerën e kartonit të 5 herë fituesit të Topit të Artë.

Për momentin, klubet që interesohen më tepër për Ronaldon, janë Bayern Munich, Chelsea dhe Napoli, por gjithçka mbetet ende në ajër dhe pa zhvillime konkrete.

Në fakt, kjo është një çështje që pritet të marrë zgjidhje shumë shpejt, sepse Erik ten Hag ka nisur nga puna në përgatitjen e skuadrës për sezonin e ri futbollistik. Takticieni hollandez kërkon nga United, që diskutimi mbi Cristiano Ronaldon të mbyllet sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që ai ta ketë të qartë strategjinë e punës së tij.