Donnarumma nuk ndihet i penduar për transferimin tek PSG: Jam i lumtur edhe për Milanin

Sport

Eliminimi nga Champions League ka lënë një shije të hidhur në radhët e PSG, sepse ngjitja në majën më të lartë të Europës po vështirësohet vit pas viti për klubin me bazë në kryeqytetin francez. Megjithatë, numri një i portës pariziene, Gianluigi Donnarumma nuk ndihet i penduar që u bë pjesë e klubit në fjalë në verën e 2021-shit, ndërsa dy fjalë i ka edhe për ish-klubin e tij, Milanin.

Kështu është shprehur italiani, menjëherë pas eliminimit nga Bayerni në raundin e 1/8-tave, në një kohë kur për ironi të fatit, ish-klubi i tij, Milani, ka përparuar më tej në çerekfinale të Champions League, diçka që nuk ndodhte prej 2012-tës.

“Sigurisht që ndihemi të zhgënjyer dhe jemi të mërzitur për eliminimin, pasi jemi jashtë kompeticionit të Champions League. Gjithësesi nuk jam penduar që u bëra pjesë e Parisit dhe për këtë nuk kam pasur asnjëherë dyshime. I lumtur për kualifikimin e Milanit? Po, por unë jam krenar që jam pjesë e PSG-së, është shprehur 24 vjeçari.

Ish-numri një i portës së Milanit ka një kontratë të vlefshme me Parisin deri në verën e 2026-tës dhe ndihet i pakonkurueshëm mes shtyllave, duke qenë se edhe Keylor Navas u largua në huazim drejt Nottingham Forest.