Pas transferimit rekord të Harry Maguire, Manchester United ka kthyer vëmendjen tek një tjetër objektiv. ‘Djajtë e kuq’ po përpiqen të përforcojnë edhe mesfushën, për t’i paraprirë një largimi të mundshëm të Paul Pogba dhe ‘Daily Mail’ fikson Christian Eriksen si objektiv. Lojtari e ka konfirmuar largimin nga Tottenham në rast se do t’i vijë një ofertë e mirë dhe ndonëse për të kanë interes edhe skuadra të tjera të mëdha, Manchester United është e gatshme të bëjë të tjera sakrifica ekonomike për një emër me peshë si danezi. Kontrata e Eriksen me Tottenham skadon në fundin e sezonit të ardhshëm dhe ‘Spurs’-at preferojnë që ta shesin mesfushorin brenda kësaj vere, për të mos e lejuar të largohet me parametra zero në sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, kjo nuk e ul çmimin për kartonin e Eriksen, pasi Tottenham pretendon të paktën 80 milionë euro për shërbimet e lojtarit. Merkato në hyrje në Angli përfundon gjatë ditës së enjte dhe Manchester United po përpiqet të lëvizë sa më shpejt, duke ditur se vuajnë edhe konkurencën e forte të skuadrave si Real Madrid apo Juventus. Një tjetër objektiv për mesfushën e United është Bruno Fernandes. Por në rast se ‘djajtë e kuq’ do të firmosin me Eriksen, Fernandes me gjasa do të jetë objektivi kryesor i Tottenham, që prej kohësh ka ndjekur situatën e mesfushorit portugez të Sportingut të Lisbonës.