Dita e Mërkurë ka sjellë lajme pozitive për Juventusin

Sport

Dita e Mërkurë ka sjellë lajme pozitive për Juventusin. Këtë sezon, Zonja e Vjetër, ka qenë e penalizuar nga dëmtimet e shumta në të gjitha repartet, teksa shqetësimet u ngritën sërish përgjatë ditëve të fundit, për dy lojtarë shumë të rëndësishëm të skuadrës, Francisco Conceicao dhe Dusan Vlahoviç.

Megjithatë, as njëri dhe as tjetri nuk ka problem serioz. Nga testet e kryera në qendrën shëndetësore të klubit, është arritur në përfundimin se Conceicao ka thjesht një ngarkesë muskulore në kofshën e djathtë. Një ngërç i tillë, e shqetësoi lojtarin në seancën stërvitore përpara ndeshjes gjysmëfinale në Superkupën e Italisë ndaj Milanit, duke ngritur pikëpyetje të madha, se lojtari mund të mungonte disa javë në vazhdim. Megjithatë, nuk do të jetë kështu. Djaloshi portugez,  shumë shpejt do të jetë nën urdhërat e trajnerit Thiago Motta.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për futbollistin tjetër, Vlahoviç, i cili pas rikthimit nga Superkupa, ka shfaqur disa probleme të vogla fizike. Gjithësesi, nuk është asgjë serioze për t’u shqetësuar. Ballkanasi ka thjesht lodhje, ndërsa në vijim do të jetë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga mjekët e klubit. Për të do të punohet me një program të veçantë, në mënyrë që të kthehet shpejt në mënyrën më të mirë të mundshme.

Janari cilësohet si një muaj mjaft i rëndësishëm për Juventusin, sepse kalendari e ballafaqon me sfida, të cilat mund të konsiderohen thelbësore për ecurinë e sezonit, qoftë në Serie A, apo edhe në Champions League.

Në kampoinat, Zonja do të luajë ndaj Torinos, Atalantës, Milanit dhe Napoli, kurse në Champions do të përballet me Club Bruge dhe Benficas.