Diego Godin nuk do të largohet nga “Wanda Metropolitano”. Kapiteni i Atletico Madridit ka pranuar të rinovojë kontratën e tij edhe për dy vite, e do të qëndrojë i lidhur me klubin deri në vitin 2021. Uruguaiani kishte kontratë deri në vitin 2019 me një klauzolë prej 20 milionë eurosh, të cilën ishte e gatshme ta paguante skuadra e Manchester United, por futbollisti nuk donte të largohej nga Madridi. 32-vjeçari ka marrë shiritin e kapitenit të “los colchoneros”, pas largimit të Gabi Fernandez këtë verë, ndërkohë që drejtuesit e skuadrë vendosën t’i rrisnin pagën për besnikërinë që ka treguar.
Godin ka luajtur 350 ndeshje zyrtare me Atleticon, që kur u transferua nga Villareali në vitin 2010. Për mbrojtësin, veç Manchester United, interes të fortë kishte shfaqur edhe skuadra e Juventus. Por pas rikthimit të Bonuccit në Torino, tek bardhezinjtë nuk e kishin të domosdoshme të transferonin Godin në Serie A. 32-vjeçari ka qenë një ndër pikat më të forta të formacionit të trajnerit Diego Simeone dhe trajneri thuhet të ketë qenë njëri prej atyre që ka bindur lojtarin se e ardhmja e tij do të ishte më e mirë nëse zgjidhte të vazhdonte karrierën tek Atletico Madrid.