Trajneri i kombëtares së Francës, Didier Deschamps, ka pranuar se ndjek me kujdes të veçantë Juventusin dhe se një ditë do të donte të rikthehej e të drejtonte bardhezinjtë. Në një intervistë të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”, 49-vjeçari shprehet se aktualisht është i lumtur me detyrën si trajner i Francës, por në të ardhmen do të shohë me kujdes mundësitë për të drejtuar një klub, ku vëmendje të veçantë për të ka pikërisht skuadra kampione në fuqi e Italisë.
Deschamps ka qenë në krye të stolit të Juventus gjatë periudhës kur bradhezinjtë luanin në Serie B, një detyrë që në atë kohë ai e pranoi me shumë kënaqësi, pavarësisht se nuk luanin në nivelet më të larta. Këtë zgjedhje Deschamps e shpjegoi duke thënë se gjatë asaj periudhe të vështirë për Juventus, ai dontë t’i jepte klubit dhe familjes Agnelli atë çfarë ata i dhanë francezit si lojtar.
Trajneri francez ndihet sërish i gatshëm të marrë përgjegjësitë e stolit bardhezi, tashmë në kushte shumë më ndryshe se ekpserienca e kaluar.
Si lojtar, Didier Deschamps numëron 178 ndeshje të luajtura me fanellën e Juventus, ndërsa si trajner, ai drejtoi klubin nga Torino gjatë sezonit 2006-2007, që shënoi dhe rikthimin e skuadrës bardhezi në elitën e futbollit italian.