Didier Deschamps do të larghet nga drejtimi i kombëtares franceze të futbollit pas Botërorit të 2026-tës. Lajmin e ka konfirmuar vetë 56 vjeçari nëpërmjet një deklarate mediatike. “Kupa e Botës 2026-tës, do të jetë njëkosisht edhe ngjarja që do të shëojë mbylljen time të epokës me ekipin kombëtar. Jam në drejtim të Francës që prej 2012-shit, kështu që në një moment ose në një tjetër, fundi do të vinte me çdo kusht. Kam punuar me të njëjtin përkushtim, dëshirë dhe passion, me synimin e madh, për ta mbajtur Francën në nivelin më të lartë të mundshëm”, janë fjalët e Deschamps.
Kur trajneri në fjalë erdhi në krye të gjelave në 2012-tën, si pasues i Laurent Blanc, Blutë po kalonin një moment të vështirë, ndërsa më pas, filloi ngritja, duke nisur nga një finale Europiani në 2016-tën, ndonëse pa sukses. Mirëpo, kulmi i këtyre viteve, do të arrihej në Rusi, teksa në Botërorin e 2018-tës, do të ishte Franca që do të triumfonte, duke fituar të dytën kupë në historinë e vendit. Katër vite më vonë, gjelat do të shkonin sërish në finalen e një Kupe Bote, por këtë herë, në Katar, u mposhtën nga Argjentina. Gjithashtu, me Francën, Deschamps ka fituar edhe një Nations League në vitin 2021.
Didier Deschamps mund të ndihet vërtet me fat, sepse ai është një nga 3 personazhet e vetëm në planet, që Kupën e Botës e ka fituar si lojtar dhe trajner. Diçka të ngjashme përpara tij e kanë bërë Mario Zagallo me Brazilin, dhe Franz Beckenbauer me Gjermaninë.