“Martesa” mes Juventusit dhe Di Maria-s është thuajse e konkretizuar. Në Torino ka nisur numërimi mbrapsht për ta parë argjentinasin të veshur me fanellën bardhe e zi. Fjala “po” e lojtarit për një transferim në Itali i ka dhënë një përshpejtim të fortë negociatave mes përfaqësuesëve të futbollistit dhe drejtuesve të Juves. Konfirmimi vjen pikërisht nga përfaqësuesit e Di Marias, në një deklaratë për mediat italiane : “Jemi në detajet e fundit dhe presim që të na japin “ok” për disa gjëra”. Kontrata pritet të jetë për një sezon me një pagë prej 7 milionë eurosh.
Orët e ardhshme do të jenë të çmuara për të sqaruar detajet e fundit. Cherubini dhe Arrivabene po shtyjnë të fusin opsionin e rinovimit edhe për një vit, por deri më tani përpjekjet janë refuzuar nga Di Maria i cili kërkon të luajë vetëm një sezon e me pas të kthehet në Argjentinë tek klubi i tij mëmë, Rosario Central, natyrisht dëshira për të qëndruar edhe një vit në Europë lidhet me pjesëmarrjen në botërorin e Katarit dhe lojtari kërkon të jetë në nivele të larta për të qënë sa më në formë për përfaqësuesen “albicelecte”. Ndërkohë një sinjal e ka dhënë edhe bashkëshortja e 34 vjecarit e cila në rrjetet sociale ka filluar menjëherë të ndjekë profilet e Juventusit.