Dha penallti kundër Interit, arbitri Abisso pezullohet për një muaj!

Sport

abisso
Një ditë pas ndeshjes së shumë diskutuar Fiorentina-Inter, Rosario Abisso është dënuar nga Këshilli i Gjyqtarëve me një muaj pezullim. Ndeshja që u mbyll 3-3 e së dielës pati mjaft polemika për një këmbëngulje të Abissos rreth një faulli për prekje me dorë të D’Ambrosios së Interit. Edhe pse pati konsultime me sistemin VAR, ai vendosi vetë për të dhënë penallti në një situatë që të gjithë analistët sportivë thanë njëzëri se nuk ishte njëmbëdhjetëmetërsh. Në fakt të hënën Administratori i Deleguar Beppe Marotta foli pa dorashka duke dalë hapur kundër vendimeve të Abissos. Ai tha se mënyra se si u arbitrua ndeshja ndëshkoi jashtëzakonisht shumë Interin në ecurinë drejt synimeve të saja sezonale.

Rosario Abisso 625x350 1551109003

Pas deklaratave të Marottas, Abisso thuhet se pati një takim kokë-më-kokë me Nicola Rizzolin, drejtuesin e organizimit të gjyqtarëve. Pas këtij takimi shtypi italian ka komunikuar vendimin se gjyqtari siçilian do ta bëjë pushim deri në fund të muajit të ardhshëm. Sipas llogaritjeve me gjasa ai do të arbitrojë sërish në Serie-A vetëm pas 31 marsit, ndërkohë që deri në fund të sezonit nuk do të arbitrojë më asnjë ndeshje të Interit. Edhe pse ky vendim ka qetësuar disi tifozët dhe ambientin zikaltër, nuk ka bërë aspak të njëjtin efekt te tifozët e skuadrave të tjera. Të shumta kanë qenë reagimet në rrjetet sociale ku vinin në diskutim mungesën e vendimeve të ngjashme kur skuadra të tjera ndëshkoheshin nga arbitrat në ndeshjet kundër Interit.