Dështojnë sërish tratativat, Willian drejt largimit nga Chelsea

Sport

Willian është kthyer në një ‘çështje’ të nxehtë për klubet angleze e sidomos për ato të Londrës, që janë vënë në garë të fortë për shërbimet e brazilianit. 31-vjecarit i skadon kontrata me Chelsean në fundin e këtij sezoni dhe prej kohësh janë bërë përpjekje për të gjetur ‘gjuhën’ e përbashkët drejt rinovimit. Mirëpo sipas asaj që raportojnë mediat angleze, edhe tratativat e fundit mes përfaqësuesve të lojtarit dhe ‘bluve’ të Londrës kanë dështuar. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Willian në një intervistë për ‘Expediente Futebol’ në vendlindjen e tij, ku u shpreh se mes tij dhe Chelsea çdo gjë duket e mbyllur. Klubi nuk i ofron më shumë se 2 vite rinovim lojtarëve mbi moshën 30-vjeçare, teksa Willian kërkonte minimalisht 3 vite kontratë. Edhe pse kanë qenë në bisedime për më shumë se 1 vit, palët nuk kanë gjetur marrëveshje dhe Willian tashmë po shqyrton zyrtarisht ofertat e tjera. Ai mund të mbetet në Londër edhe sezonin e ardhshëm, pasi skuadra si Arsenal dhe Tottenham kanë shfaqur interes konkret për të. Për më tepër, të dy klubet e Londrës Veriore janë të gatshme të plotësojnë kërkesat e lojtarit, vetëm për të siguruar firmën e tij. Willian ka qenë pjesë e Chelsea prej plot 7 sezonesh. Ai u transferua nga Anzhi për 35,5 milionë euro në verën e vitit 2013. Me fanellën e ‘bluve’, 31-vjeçari brazilian numëron në total 329 ndeshje zyrtare në të gjitha kompeticionet, ku ka arritur të shënojë 59 gola e të shërbejë po aq asiste.