Dështimi i Juventus në Lyon, Sarri ‘qahet’ për penalltitë e mohuara!

Sport

Juventus mori një goditje të rëndë në Francë, teksa u mposht nga një Lyon befasues me një gol të Lucas Tousart. Pjesa e parë foli krejtësisht për vendasit, të cilët edhe pse ishin përballë një skuadre që konsiderohet gjerësisht si favorite për t’i shkuar deri në fund kompeticionit, luajti plot kurajo dhe dëshirë për të marrë një rezultat të mirë. Megjithatë, kjo humbje e Juventus nxorri shumë probleme të torinezëve, të cilët regjistruan dhe disa nga statistikat më negative për ta në shumë vite.
Në ndeshjen ndaj Lyon, bardhezinjtë nuk bënë asnjë goditje drejt portës së mbrojtur nga Lopes. Në ‘Champions League’, diçka e tillë ka ndodhur vetëm 3 herë për Juventus që nga sezoni 2004-2005.Vetëm ndaj Arsenalit në 2006-ën dhe ndaj Atletico Madrid në 2014-ën, torinezët kanë dështuar të godasin portat kundërshtare. Një statistikë që tregon qartë se në Francë, sulmi i Sarrit nuk ishte aspak efektiv, ndonëse kishte në fushë edhe Cristiano Ronaldon, i cili ka shënuar më shumë gola në fazën me eleminim direkt, 65, sesa në në atë të grupeve, 63. Gjithashtu, Juventus nuk kishte humbur një ndeshje të ‘Champions League’-ës kundër një skuadre franceze që nga viti 2009. Për Lyon, ky triumf ka vlera të veçanta, pasi është hera e parë që nga viti 2012, që kjo skuadër ia del të fitojë një ndeshje të fazës me eleminim direkt në këtë kompeticion.
Në Itali të gjithë kanë kërkuar shpjegime nga Sarri për atë paraqitje aspak dinjitoze të kampionëve të ‘Serie A’. Tekniku italian ama e ka shprehur qartë zhgënjimin e tij me gjykimin e ndeshjes, pasi Sarri pretendon se ekipit të tij i janë mohuar dy penallti të pastra. Bëhet fjalë për kontaktin ndaj Ronaldos dhe më pas atë ndaj Paulo Dybalas, për të cilat edhe sistemi ‘VAR’ vendosi të vijohej loja. Sarri tha se nëse do të gjykohej në Itali, këto dy momente do të ishin akorduar si 11-metërsha, por që gjithësesi nuk justifikon paraqitjen jo të mirë të lojtarëve të tij.