Dermaku, shqiptari më i kërkuar i momentit: E do edhe…

Sport

 

Edhe pse nuk ka ndonjë karrierë fort të pasur, për momentin ai është lojtari shqiptar më i kërkuar. Mbrojtësi i Cosenzas dhe i saporikthyeri në Kombëtaren kuqezi, Kastriot Dermaku, ka interesim mjaft të lartë përreth tij, pasi i skadon kontrata me klubin e Serisë B. 27-vjeçari ka zhvilluar një sezon fantastik me klubin italian, duke qenë një nga pikat e forta të prapavijës së skuadrës, që arriti t’i mbijetojë rënies nga kategoria. Prej kohësh, tre skuadra të Serisë A, si Torino, Bologna dhe Parma, kanë shfaqur hapur interesin në lidhje me mbrojtësin shqiptar. Veçanërisht, verdheblutë duken të avantazhuar, aq sa flitet se i kanë ofruar edhe një kontratë 3-vjeçare.

Mirëpo nuk janë vetëm ekipet italiane që interesohen për shtatlartin e mbrojtjes tonë. Nën vëzhgim është edhe prej skuadrave turke. Ishte Beshiktashi i pari që doli në skenë për të rrëmbyer Dermakun, ndërsa tani shfaqet befas edhe Istanbul Basaksehir. Nënkampionët e Turqisë, që nuk ia dolën dot as këtë vit të fitojnë titullin kampion, e shohin afrimin e 27-vjeçarit si përforcimin e duhur sa i takon mbrojtjes. Gjithsesi, shumë do të varet edhe nga oferta financiare. Megjithëse vetë lojtari duket më i prirur për të qendruar në Itali, ku duke parë interesimin e disa skuadrave të Serisë A, ka mundësinë të luajë në një nga kampionatet më të fortë të Evropës. Gjithsesi, do t’i takojë vetë Dermakut për të vendosur të ardhmen e tij gjatë ditëve në vazhdim.