Dermaku shpalos objektivat me Parmën

Sport

Kastriot Dermaku kërkon të tregojë se është një futbollist i denjë për Serinë A. I sapotransferuar te skuadra e Parmës, mbrojtësi 27-vjecar i Kombëtares shqiptare ka dhënë edhe deklaratat e para si lojtar i verdhebluve nga faza përgatitore e skuadrës emiliane në Prato: “Vij me entuziasëm të madh për të treguar vlerat e mia në një kampionat të nivelit të lartë siç është Seria A dhe për të qendruar sa më gjatë. Me përulësi të madhe dua të mësoj të gjithë sekretet e këtij kampionati, që ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Sigurisht, aspekti fizik është pika ime e fortë. Kam shumë për të mësuar dhe me siguri që do të rritem më shumë, duke mësuar nga lojtarë që kanë përvojë më të madhe se unë”. Një shembull i tillë është Bruno Alvesh, nga i cili Dermaku tregon se mund të mësojë shumë. “Atë e shoh si profesionist të vërtëtë dhe si një pikë referimi, pasi ka luajtur në Botërorë, Europianë apo edhe në Champions League. Megjithatë edhe të tjerët besoj se do të më ndihmojnë për t’u ambientuar sa më mirë me skuadrën”, kanë qenë fjalët e para të Dermakut që nisi javën e dytë të përgatitjeve me Parmën.


Lojtari kërkohej edhe nga skuadra të tjera italiane, mirëpo ai ka zbuluar se nuk pati dyshime sapo mësoi për interesimin e Parmës. “Kisha disa oferta, por kur dëgjova emrin e Parmës mendova menjëherë se për mua ishte zgjidhja më e mirë. Shpresoj të ndihem mirë edhe këtu, njësoj sic isha te Kozenca. Jam gati të jap maksimumin, sepse vetëm kështu besoj se do të vijnë edhe rezultatet”, deklaroi mbrojtësi, i cili ka luajtur edhe në sektorin e të rinjve të Modenas dhe Sasuolos. Megjithatë, ato eksperienca në kategoritë më të ulëta italiane i kanë shërbyer jo pak. Dhe këtë sezon, për herë të parë pritet të testojë veten në një kampionat të vështirë, sic është Seria A