Dermaku nuk rinovon, dëshiron Serinë A italiane!

Sport

Kastriot Dermaku është ndër emrat më të lakuar nga Kombëtarja shqiptare sa i takon merkatos së verës. Duket se lojtari i Cosenzas do të largohet në fund të sezonit nga skuadra e Serisë B, natyrisht me synimin për të ngjitur një tjetër nivel në karrierën e tij. Prej kohësh është duke u vëzhguar nga disa klube, si Bolonja, Torino, apo Beshiktashi. Cosenza nga ana tjetër po mundohet të rinovojë me shqiptarin në mënyrë që të mos e humbasë me parametra zero.

Shtatlarti ka qenë shtylla kryesore e skuadrës, pasi ka luajtur 32 ndeshje si titullar. Ndërsa ia ka dalë që të shënojë edhe një gol. Mirëpo mësohet se mbrojtësi 27-vjeçar nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën. Përderisa nëse e zgjat, atëherë do t’i mohonte vetes mundësinë që të kalonte në një skuadër tjetër të Serisë A. Mbrojtësi i qendrës është në rrethin e ekipit tonë kombëtar, teksa refuzoi Kosovën për Shqipërinë, ndërsa Panucci nuk e preferoi në dy sfidat e fundit. Por me afrimin e Edi Rejës në krye të kuqezinjëve, ai pritet të jetë pjesë e kontigjentit kuqezi.